Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë vendim përfundimtar ndaj Atdhe Musliut dhe Labinot Bajramit, të akuzuar për vrasjen e A.H. më 2023 në Fushë-Kosovë. Musliu është dënuar me 16 vite e 8 muaj burgim, ndërsa Bajrami me 11 vite burgim.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë privuar nga jeta A.H., duke kryer veprën penale “Vrasje” në bashkëkryerje. Përveç kësaj, Musliu akuzohej edhe për armëmbajtje pa leje. Aktgjykimi u shpall nga kryetari i trupit gjykues Gent Beka, së bashku me anëtarët Medie Bytyqi dhe Agim Kuçi, pas aprovimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë mes Prokurorisë dhe të akuzuarve.
Gjykatësi Beka njoftoi se Musliu u shpall fajtor për “Vrasje” dhe për armëmbajtje pa leje, duke i caktuar dënim unik prej 16 vjet e 8 muaj burgim. Bajrami u dënua për veprën penale “Vrasje” me 11 vite burgim. Masa e paraburgimit për të dy të akuzuarit vazhdon, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.
Secili prej tyre është i detyruar të paguajë 200 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 50 euro për Fondin për kompensimin e viktimave të krimit, brenda 15 ditëve nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Ngjarja e ndodhur më 12 shkurt 2023 në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë-Kosovë për shkak të një mosmarrëveshjeje, përfshinte sulmin fillestar të Bajramit ndaj A.H., i cili u godit me grushte, shqelma dhe sende të forta. Musliu dhe Bajrami e ndoqën viktimën, duke vazhduar sulmin deri sa Musliu e goditi me thikë në kraharor, duke i shkaktuar vdekjen. Sipas gjykatës, ky veprim përbën bashkëkryerje të veprës penale “Vrasje”. /Gjurmuesi/







