Përpjekja e Partisë Demokratike të Kosovës për të siguruar përsëritjen e balotazhit në Mitrovicë ka marrë fund në Gjykatën Supreme, e cila e ka hedhur poshtë kërkesën si të pabazuar.
Vendimi i instancës më të lartë ka konfirmuar qëndrimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke mbyllur kështu çdo mundësi për rivotim.
Më 14 nëntor, PZAP-ja kishte refuzuar ankesën e PDK-së që pretendonte se kishte pasur fletëvotime të përziera ndërmjet klasave dhe probleme me numrat serikë. Paneli kishte theksuar se partia nuk kishte paraqitur prova që të dëshmonin ndonjë parregullsi që mund të ndikonte procesin.
PDK-ja më pas iu drejtua Supremes, por edhe aty kërkesa u rrëzua. Gjykata tha se pretendimet nuk ishin të provuara dhe se mungonin bazat ligjore për të konstatuar shkelje të natyrës substanciale që do të cënonin integritetin e zgjedhjeve ose rezultatin përfundimtar.
Në njoftimin e saj, Gjykata Supreme theksoi se dëshmitë e paraqitura “nuk krijojnë bindje që në këtë rast duhet të urdhërohet rivotimi”.
Në balotazhin për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci nga Lëvizja Vetëvendosje kishte dalë fitues ndaj kandidatit të PDK-së, Arian Tahiri. /Gjurmuesi/







