Nata e Kadrit zë një vend të veçantë në besimin islam dhe konsiderohet ndër netët më të rëndësishme të vitit për besimtarët myslimanë. Kjo natë vlerësohet jashtëzakonisht shumë, pasi sipas mësimeve islame, adhurimi dhe agjërimi gjatë saj kanë vlerë të barabartë me adhurimin e një periudhe prej një mijë muajsh.
Pikërisht për këtë arsye, shumë njerëz zgjedhin të agjërojnë dhe të shtojnë lutjet në këtë ditë, madje numri i atyre që agjërojnë në këtë natë shpesh është më i madh se gjatë ditëve të zakonshme të muajit të Ramazanit.
Nata e Kadrit lidhet me një ngjarje të rëndësishme për islamin, pasi besohet se në këtë natë filloi zbritja e Kuranit në tokë dhe nisja e shpalljes së librit të shenjtë. Sipas klerikëve, lutjet dhe agjërimi i bërë në këtë natë kanë një rëndësi të veçantë dhe mendohet se ndikojnë në fatin dhe jetën e njeriut për një vit të tërë. Për këtë arsye, besohet se mijëra njerëz, jo vetëm myslimanë praktikues të rregullt, por edhe të tjerë, zgjedhin të agjërojnë në këtë ditë.
Sipas besimit islam, në Natën e Kadrit, me lejen e Zotit, zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për të përcaktuar çështje të ndryshme. Thuhet se kjo natë është e mbushur me paqe dhe qetësi deri në agimin e mëngjesit.
Myslimanët besojnë gjithashtu se Kurani iu shpall profetit Muhammed nga Allahu pikërisht në këtë natë. Zbritja e shpalljes nisi në shpellën Hira në Mekë, ndërsa sureja e parë që u shpall ishte sureja Alak.
Shenjat e Natës së Kadrit
Kjo natë e veçantë besohet të ketë disa shenja karakteristike, të cilat zakonisht vërehen vetëm pasi të ketë kaluar dhe të ketë lindur dita e re.
Ndër shenjat që përmenden është lindja e diellit në mëngjesin pasues pa rreze të forta, ose me një ngjyrë të kuqërremtë dhe ndriçim më të zbehtë. Po ashtu thuhet se gjatë Natës së Kadrit mund të bjerë një shi i lehtë, ndërsa moti është i qetë, pa erëra të forta dhe temperatura është e moderuar, as shumë e nxehtë dhe as e ftohtë.
Çfarë duhet të bëjë myslimani Natën e Kadrit?
Gjatë kësaj nate, besimtarët këshillohen të shtojnë adhurimin dhe veprat e mira.
Të bëjë sa më shumë dua (lutje).
Të bëjë teube e istigfar (të pendohet, për mëkatet dhe të kërkojë mëshirë nga i Madhi Zot).
Të shtojë tespihët (të përmendurit dhe të madhëruarit e Allahut) dhe falënderimet.
Të bëjë salavat për Pejgamberin a.s.
Të japë sadaka sa të ketë mundësi.
Të ruhet nga mëkatet e gjymtyrëve (duarve, këmbëve, syrit, veshit etj.).
Të mos i kalojë namazet pa xhemat (pra të falet sa më tepër në xhami).








