Shumë njerëz mendojnë se shfryrja e zemërimit është mënyra më e mirë për të qetësuar nervat, por studimet e fundit tregojnë të kundërtën. Një rishikim i thelluar i vitit 2024 hedh poshtë idenë e zakonshme se të shprehurit i zemërimit në momentin e irritimit ndihmon në uljen e tensionit.
Shkencëtarët nga Universiteti Shtetëror i Ohajos analizuan 154 studime dhe gjetën se shfryrja e zemërimit pak herë ndihmon dhe në disa raste madje mund ta rrisë atë. Autori kryesor, Brad Bushman, thekson se ideja e katarsisit, sipas së cilës shfryrja çliron tensionin, nuk mbështetet nga të dhënat shkencore. Përkundrazi, qasjet që ndihmojnë në reflektimin mbi shkaqet e zemërimit dhe validimin emocional janë më të dobishme.
Studimi zbuloi se shumë njerëz përpiqen të shfryjnë zemërimin përmes aktiviteteve fizike, të cilat mund të kenë përfitime shëndetësore, por nuk ulin domosdoshmërisht tensionin emocional në momentin e zemërimit. Aktivitetet që synojnë zvogëlimin e ngacmimit fiziologjik, si frymëmarrja e thellë, meditimi, relaksimi progresiv i muskujve dhe joga, janë më efektive për qetësimin e zemërimit.
Ekipi i studiuesve analizoi gjithsej 10.189 pjesëmarrës nga moshat, gjinitë dhe kulturat e ndryshme, duke konfirmuar se çelësi për menaxhimin e zemërimit është ulja e stimulimit fiziologjik që ai krijon. Qasjet që rrisin ngacmimin, si vrapimi ose boksi, mund të jenë kundërproduktive, pasi rrisin tensionin përpara se të ofrojnë çlirimin e ndjenjave.
Autorët nënvizojnë se teknikat e njohura për relaksim, përfshirë frymëmarrjen diafragmale, jogën dhe relaksimin progresiv të muskujve, mund të jenë po aq efektive sa terapitë kognitive-bihejviorale në menaxhimin e zemërimit. Qasja kryesore është të hiqet “karburanti” fiziologjik i zemërimit, duke ulur nivelin e ngacmimit dhe duke mundësuar përpunimin shëndetshëm të emocioneve.
Në vend që të përpiqemi të shfryjmë zemërimin, studiuesit rekomandojnë qasje që e qetësojnë trupin dhe mendjen, duke lejuar që tensioni të ulet natyrshëm dhe të menaxhohet në mënyrë konstruktive. /Gjurmuesi/









