Sytë nuk shërbejnë vetëm për të parë, por shpesh janë një pasqyrë e gjendjes së përgjithshme shëndetësore. Specialistët theksojnë se përmes syve mund të dallohen shenja të hershme të dhjetëra sëmundjeve, ndaj mjekët okulistë janë shpesh të parët që identifikojnë probleme serioze në organizëm.
Sipas ekspertëve, mbi 30 gjendje shëndetësore të ndryshme shfaqin simptoma në sy, duke e bërë kontrollin oftalmologjik shumë më të rëndësishëm sesa mendohet zakonisht.
Njollat e kuqe
Të shkaktuara nga pika gjaku në sy, këto njolla mund të jenë tregues i diabetit. Kur nivelet e sheqerit në gjak rriten, enët e gjakut bllokohen dhe ënjten, duke çuar në plasje të enëve të vogla në retinë. Nëse kjo gjendje neglizhohet, mund të shkaktojë dëmtime serioze të shikimit, deri në verbim.
Sytë e përgjakur
Kjo gjendje nuk lidhet vetëm me lodhjen. Ajo mund të shfaqet si pasojë e një kollë të fortë, por edhe nga infeksione të ndryshme, përfshirë infeksionet fungale.
Sytë e skuqur, të acaruar apo të ënjtur
Zakonisht janë shenjë e alergjive, të cilat mund të shkaktohen nga ajri i ndotur, pluhuri apo grimcat e ngurta në mjedis.
Sytë e tharë
Tharja e syve shpesh lidhet me përdorimin e zgjatur të kompjuterit, por mund të jetë edhe efekt anësor i disa ilaçeve, si pilulat e gjumit, qetësuesit e dhimbjeve apo antidepresantët. Gjithashtu, sëmundjet autoimune, veçanërisht sindroma Sjögren, mund të dëmtojnë gjëndrat që prodhojnë lagështinë e syrit, sidomos te gratë e moshuara.
Të shohësh vetëm larg
Me kalimin e moshës, shumë njerëz humbasin aftësinë për t’u fokusuar në objektet e afërta. Megjithatë, edhe përdorimi i disa ilaçeve, si antidepresantët, mund të shkaktojë largpamësi në moshë më të hershme.
Vizioni i turbullt
Shikimi i paqartë mund të lidhet me shumë probleme shëndetësore. Për personat që kanë rrezik nga tensioni i lartë i gjakut, kjo mund të jetë një sinjal alarmi. Në rastet kur shikimi errësohet për shkak të hipertensionit, trajtimi mjekësor duhet të jetë i menjëhershëm për të shmangur dëmtime të përhershme.
Melanoma
Okulistët mund të jenë të parët që zbulojnë forma të caktuara të kancerit. Melanoma okulare është një formë e rrallë që nuk shihet lehtë në pasqyrë, por mund të identifikohet gjatë kontrollit të syve. Në disa raste, dhimbjet ose presioni i pashpjegueshëm në sy mund të sinjalizojnë edhe një tumor të mundshëm në tru.
Kolesteroli i lartë
Nivelet e larta të kolesterolit shpesh shfaqen me unaza të bardha rreth syve ose njolla të verdha në qepalla. Këto shenja janë më të shpeshta te të moshuarit, por në çdo moshë tregojnë nevojën për kontroll të kolesterolit. Specialistët theksojnë rëndësinë e ushqyerjes së shëndetshme, sidomos te fëmijët, ushqyerjen me gji dhe ekspozimin e mjaftueshëm në diell, për të shmangur pasojat afatgjata në shëndet.









