Prej disa kohësh, shumë njerëz po përdorin inteligjencën artificiale për të krijuar imazhe të një personi të pastrehë brenda shtëpisë së tyre dhe t’ua dërgojnë prindërve si shaka. Ky trend, që shpesh përfundon me telefonata tek policia, u bë viral në TikTok dhe ka shkaktuar jo vetëm ankth tek prindërit, por edhe shqetësim tek autoritetet.
Fëmijët shpesh i tregojnë prindërve se burri i njoh nga puna ose kolegji, duke e çuar situatën deri aty sa prindërit humbasin durimin dhe kërkojnë që fëmijët ta nxjerrin jashtë të huajin. Gjithashtu, ata filmojnë reagimet e prindërve dhe i postojnë në TikTok, ku disa video arrijnë miliona shikime.
Megjithatë, shakaja mund të bëhet problematike dhe potencialisht e rrezikshme kur zgjat shumë, pasi prindërit telefonojnë policinë. Thirrjet për vjedhje në shtëpi, veçanërisht ato që përfshijnë fëmijë, trajtohen si një prioritet i lartë nga policia, dhe si rrjedhojë, këto shaka konsumojnë burime të vlefshme dhe mund t’i fusin autorët në telashe serioze.
Komandanti i Divizionit të Patrullës së Policisë Round Rock në SHBA, Andy McKinney, tha se shakatë e këtilla mund të shkaktojnë deri në reagime SWAT. Ndërkohë, Departamenti i Policisë së Salem, Massachusetts, lëshoi një deklaratë ku thekson se ky lloj humori çnjerëzor dehumanizon të pastrehët, shkakton panik dhe shpërdoron burimet e policisë.
Oficerët që shkojnë për të reaguar nuk e dinë nëse është thjesht një shaka dhe trajtojnë çdo telefonatë si një vjedhje të mundshme, duke krijuar një situatë potencialisht të rrezikshme.









