Përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme pritet të ketë pasoja të drejtpërdrejta edhe në ekonominë e Kosovës. Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka ngritur shqetësimin për ndikimin që mund të ketë kjo situatë në tregun vendor, veçanërisht për shkak të mungesës së rezervave shtetërore të energjisë.
Sipas tij, zhvillimet e fundit po shkaktojnë luhatje në tregjet ndërkombëtare, ndërsa Kosova është më e ekspozuar ndaj këtyre goditjeve.
“Situata aktuale në Lindjen e Mesme do të çrregullojë tregje në tërë botën e sidomos në Kosovë, ku ne nuk kemi rezerva të energjisë së lëngët, që është nafta, dhe sot ka pasur lëvizje të çmimit të naftës”, u shpreh ai.
Shahini theksoi se kjo situatë nxjerr në pah domosdoshmërinë e krijimit të rezervave shtetërore për produkte strategjike.
“Kjo tregon se sa janë të rëndësishme rezervat shtetërore për të mbajtur qytetarin me rezerva. Luftërat e paparapara bëjnë çrregullime globale ekonomike dhe këto i paguajnë qytetarët kudo që janë”, theksoi Shahini.
Ai shtoi se një pjesë e konsiderueshme e furnizimit global me naftë vjen nga vendet arabe dhe se aktualisht ekziston rrezik serioz për zinxhirin e furnizimit, për shkak të pasigurisë në transportin detar.
“Shtetet arabe furnizojnë pothuajse një përqindje të madhe të botës me naftë dhe tash është rrezikuar furnizimi përmes tankerëve, gjë që ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostove”, deklaroi ai.









