Pas disa vitesh pa funksionim të Këshillit Ekonomiko-Social, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) ka paralajmëruar veprim ligjor kundër ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati.
Nënkryetari i SBASHK-ut, Ymer Ymeri, ka bërë të ditur se sindikata tashmë është në proces përgatitjeje të padisë, duke theksuar se kjo nismë vjen si pasojë e neglizhencës institucionale për funksionalizimin e Këshillit.
Sipas tij, SBASHK-u është në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili po ofron asistencë ligjore falas për përgatitjen e rastit. “Jemi duke u konsultuar me juristët e IKD-së dhe presim që gjatë javës së ardhshme ta finalizojmë padinë,” ka deklaruar Ymeri.
Ai shtoi se mungesa e funksionimit të Këshillit Ekonomiko-Social për gati tre vjet ka ndikuar negativisht në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë, duke e cilësuar këtë si dështim të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Financave.
“Këshilli do të duhej të ishte mekanizëm i dialogut ndërmjet qeverisë, punëtorëve dhe punëdhënësve. Mosfunksionalizimi i tij ka lënë shumë çështje të pazgjidhura dhe ka dëmtuar ndjeshëm interesat e të punësuarve,” ka theksuar Ymeri.
SBASHK-u pritet që brenda ditëve në vijim ta dorëzojë zyrtarisht padinë kundër ministrit Murati, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për mosveprimet që, sipas sindikatës, kanë penguar përfaqësimin dhe dialogun social në vend. /Gjurmuesi/









