Këtë vit, tregu bankar në Kosovë është përballur me një ngritje të dukshme të normave të interesit për kredi. Nga janari deri në shtator, kostot e huamarrjes janë rritur në mënyrë të vazhdueshme, duke e çuar interesin mesatar nga rreth 6% në pothuajse 7%, ndërsa në disa banka norma ka arritur deri në 10%, varësisht nga lloji i kredisë.
Kjo periudhë është shoqëruar edhe me një rënie të vlerës së kredive të reja. Në shkurt, bankat kishin lëshuar kredi në vlerë prej 230 milionë eurosh, ndërsa në shtator ky numër ka zbritur në 190 milionë euro.
Sipas ish-guvernatorit të Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti, disa faktorë kanë kontribuar në rritjen e kamatave: politikat e reja të BQK-së, inflacioni dhe kriza institucionale. Ai thekson se inflacioni i lartë rrit rrezikun e mospagesës nga qytetarët, duke i shtyrë bankat të kërkojnë primi më të lartë të rrezikut, gjë që përfundon me kamata më të shtrenjta.
Mehmeti shpjegon se inflacioni ul vlerën reale të kthimeve dhe se, si përgjigje, BQK rrit kërkesat për kapital që bankat të jenë më rezistente ndaj rreziqeve. Kjo situatë përshkallëzohet edhe nga rritja e rezervave të detyrueshme që bankat duhet t’i mbajnë.
Deri në këtë vit, normat e kapitalit ishin 8% ose 12% në raport me asetet e rrezikuara, ndërsa tani janë ngritur në 10% dhe 14%. Kjo i detyron bankat të mbajnë më shumë kapital për çdo kredi të re, duke kufizuar hapësirën për huadhënie. Si pasojë, bankat rrisin kamatat për të kompensuar koston shtesë të kapitalit, të cilën nuk mund ta mbulojnë pa investime të reja nga aksionarët apo bankat mëma.
Nga ana tjetër, BQK konfirmon se ka vendosur një shtesë prej 2% mbi asetet me rrezik, duke theksuar se ky hap synon forcimin e sektorit bankar dhe aftësinë e tij për të përballuar sfida të mundshme financiare.
Edhe pse normat e interesit janë rritur, të dhënat e BQK-së tregojnë se kreditimi ka pasur ritme të shpejta gjatë gjysmës së parë të vitit, veçanërisht në maj, kur kreditimi është rritur me 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritje ka pasur edhe në muajt në vijim, deri në nivelin e 18% në krahasim vjetor. /Gjurmuesi/









