Çmimet e produkteve bazë në Kosovë po vazhdojnë të rriten ndjeshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në buxhetin e familjeve dhe koston e jetesës. Produktet esenciale si vaji, qumështi, vezët dhe artikuj të tjerë ushqimorë po shënojnë ngritje të vazhdueshme, ndërsa bashkë me to janë shtrenjtuar edhe shumë shërbime të tjera.
Qytetarët shprehen të pakënaqur, duke theksuar se pagat e ulëta nuk arrijnë të përballojnë rritjet e njëpasnjëshme të çmimeve. Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se kjo tendencë do të vazhdojë edhe gjatë muajve të ardhshëm, duke sjellë përkeqësim të mëtejshëm të gjendjes financiare për shumë familje.
Të dhënat tregojnë se vetëm në prill, çmimet e konsumit janë rritur me 3% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa në shtator 2025, rritja ka arritur në 4.7%.
Sipas njohësve të fushës, disa faktorë kanë ndikuar në këtë situatë, përfshirë kostot e larta të energjisë elektrike, që kanë detyruar bizneset të rrisin çmimet për të mbuluar shpenzimet e prodhimit dhe transportit.
Të dhënat e fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se çmimi i mishit është rritur me 12.1%, qumështi, vezët dhe djathi me 8.8%, ndërsa kafeja dhe çaji kanë pësuar rritje prej 14.2%. Përveç ushqimeve, janë rritur edhe çmimet e mallrave dhe shërbimeve të tjera bazë, duke e bërë jetesën gjithnjë e më të vështirë për qytetarët. /Gjurmuesi/









