Një lehtësim i ri financiar për punësimin e të rinjve ka hyrë në fuqi këtë vit, duke synuar rritjen e përfshirjes së tyre në tregun e punës dhe mbështetjen e bizneseve që ofrojnë praktika të subvencionuara.
Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se skema Kosovo Generation Unlimited, e cila zbatohet nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me UNICEF dhe OEGJK, ka rritur shumën e subvencionit mujor për punësim nga 170 euro në 300 euro.
Në njoftimin zyrtar, të rinjtë që janë të interesuar të përfitojnë nga praktikat në punë e subvencionuar janë ftuar që të drejtohen në Zyrën e Punësimit më të afërt për të marrë informata shtesë dhe për të aplikuar.
“Më shumë mbështetje për bizneset Më shumë motivim për punësimin e të rinjve. Më shumë ndikim real në tregun e punës. Të rinjtë e interesuar për përfitim nga praktika në punë e subvencionuar ftohen të paraqiten në Zyrën e Punësimit më të afërt për informim dhe aplikim”, shkruhet ndër tjerash në reagim.









