Çmimet e derivateve të naftës në Kosovë kanë shënuar rritje të re, duke reflektuar zhvillimet e fundit në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Në tregun me pakicë, çmimi i naftës ka arritur deri në 1.55 euro për litër gjatë ditës së hënë.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka konfirmuar se çmimet ndryshojnë varësisht nga kompanitë, ku nafta shitet nga 1.40 deri në 1.55 euro për litër, ndërsa benzina nga 1.27 deri në 1.39 euro për litër.
Sipas tij, çmimi i naftës me shumicë aktualisht është 1.53 euro për litër.
Berjani ka kujtuar gjithashtu se para përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, çmimet kanë qenë dukshëm më të ulëta.
Ai theksoi se më herët nafta në Kosovë shitej nga 1.18 deri në 1.20 euro për litër, ndërsa benzina nga 1.15 deri në 1.19 euro.
Berjani ka bërë të ditur gjithashtu se, krahasuar me vendet e rajonit, qytetarët e Kosovës furnizohen me derivate me çmime relativisht më të ulëta, përveç Maqedonisë së Veriut.
“Qytetarët tanë janë duke u shërbyer me çmime më të lira në regjion, përveç Maqedonisë së Veriut, sepse ata e kanë akcizën për dizel për 22 centë më të ulët, ndërsa benzina është si te ne”, ka thënë Berjani.
Ndërkohë, më 5 mars ka hyrë në fuqi vendimi i Ministrisë së Tregtisë, Industrisë e Ndërmarrësisë për caktimin e marzhës tregtare për derivate.
Sipas këtij vendimi, marzha e fitimit është përcaktuar në 2 centë për shitjet me shumicë dhe 12 centë për shitjet me pakicë.
Ky vendim është kritikuar nga Berjani, i cili e konsideron të papërshtatshëm për kohën aktuale.
“Sa i përket vendimit të Ministrisë për marzhën e fitimit, i cili vendim parasheh 2 centë marzhë fitimi për import dhe 12 centë për pika karburanti. Ky vendim është i gabuar dhe në kohën e gabuar, ku në tërë globin është krizë për karburante”, theksoi Berjani.
Sipas të dhënave të fundit, çmimet e derivateve në vendet e rajonit janë më të larta se në Kosovë.
Në Shqipëri, nafta shitet rreth 2.10 euro për litër, ndërsa benzina rreth 2.15 euro. Në Serbi dhe Mal të Zi, nafta kushton rreth 1.85 euro për litër, ndërsa benzina rreth 1.82 euro. Ndërsa në Bosnjë dhe Hercegovinë, nafta shitet rreth 1.65 euro dhe benzina rreth 1.60 euro për litër.
Rritja e çmimeve lidhet kryesisht me përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme. Në tregjet globale, çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm pas sulmeve të Iranit ndaj vendeve të tjera në rajon, si reagim ndaj sulmeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli.







