Një incident i dhunshëm ka ndodhur sot në hapësirat e Stacionit të Autobusëve në Pejë, ku dy persona janë lënduar dhe katër të tjerë janë arrestuar nga policia.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, konfirmoi se në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një thikë.
“Dy persona janë dërguar për tretman mjekësor, derisa katër janë arrestuar në vendin e ngjarjes. Rasti ka ndodhur rreth orës 14:00. Policia me njësitet relevante ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet lidhur me rastin”, tha Gashi.
Ai shtoi se tre persona të tjerë të përfshirë në incident janë ende në arrati dhe po kërkohen nga autoritetet.






