Politikat proteksioniste të vendosura nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump kanë lënë pasoja të dukshme në tregtinë mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë. Eksportuesit gjermanë, të cilët për vite me radhë kanë dominuar tregun amerikan, kanë pësuar rënie të ndjeshme gjatë vitit të kaluar.
Të dhënat e Entit Federal të Statistikave të Gjermanisë tregojnë se eksportet e mallrave “Made in Germany” drejt SHBA-së kanë rënë me 9.4 për qind krahasuar me një vit më parë. Në të kundërt, importet amerikane në tregun gjerman kanë shënuar rritje prej 2.2 për qind.
Në periudhën janar–nëntor 2025, vlera e eksporteve gjermane drejt SHBA-së arriti në 135.8 miliardë euro, ndërsa importet nga SHBA-ja në Gjermani kapën shifrën prej 86.9 miliardë euro. Si pasojë, suficiti tregtar i Gjermanisë me SHBA-në ra në 48.9 miliardë euro gjatë vitit 2025, niveli më i ulët që nga viti 2021, periudha e pandemisë së coronavirusit.
Suficiti i eksporteve nënkupton se Gjermania shet dukshëm më shumë mallra në SHBA sesa importon prej saj. Pikërisht ky raport tregtar ka qenë në qendër të kritikave të presidentit Trump, i cili ka vënë në shënjestër veçanërisht eksportet gjermane të veturave, duke i cilësuar suficitet e mëdha tregtare si të dëmshme për ekonominë amerikane. Politika e tij doganore proteksioniste synon, sipas tij, korrigjimin e këtyre çekuilibrave që i konsideron “të padrejtë”.
Ndikimi më i madh i këtyre masave është ndjerë në industrinë gjermane të automobilave. Nga janari deri në nëntor 2025, eksportet e makinave dhe pjesëve të tyre ranë me 17.5 për qind, duke zbritur në një vlerë prej 26.9 miliardë eurosh. Edhe sektori i makinerive industriale u përball me rënie, me 9.0 për qind më pak eksporte, në vlerë prej 24.1 miliardë euro.
Ndryshe nga këta sektorë, industria farmaceutike arriti të ruajë stabilitetin, duke shënuar një rritje të lehtë të eksporteve prej 0.7 për qind, që kapën vlerën 26.2 miliardë euro.
Në të njëjtën periudhë, SHBA-ja humbi edhe statusin e partnerit më të rëndësishëm tregtar të Gjermanisë, një pozitë që e kishte fituar për herë të parë në vitin 2024. Kina është rikthyer sërish në vendin e parë, me tregti të përgjithshme – eksporte dhe importe – që arriti rreth 230.8 miliardë euro. Në krahasim, tregtia totale e Gjermanisë me SHBA-në në janar–nëntor 2025 ishte 222.8 miliardë euro.









