Një analizë e re mbi gjendjen e rezervave ujore në Kosovë ka rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë afatgjate të furnizimit me ujë. Grupi GIS i Kosovës (GIS Group of Kosovo – GGK) ka publikuar një hartë tematike që pasqyron liqenet artificiale kryesore të vendit dhe kapacitetin e tyre ujor, duke sinjalizuar rreziqe serioze për të ardhmen.
Sipas të dhënave të GGK-së, Liqeni i Ujmanit vazhdon të jetë rezervuari më i madh dhe më strategjik në Kosovë, me një kapacitet rreth 390 milionë metra kub ujë. Pas tij renditet Liqeni i Radoniqit, me 113 milionë metra kub, i cili ka rëndësi kyçe për furnizimin e rajonit të Dukagjinit.
Në zonën qendrore të vendit, burimet kryesore të ujit të pijshëm mbeten Liqeni i Batllavës me rreth 35 milionë metra kub dhe Liqeni i Badocit me rreth 30 milionë metra kub ujë. Ndërkohë, liqenet më të vegjël si Vasileva, Përlepnica dhe Livoçi, megjithëse me kapacitete më të kufizuara, kanë rol të rëndësishëm për furnizimin lokal të popullsisë.
GGK-ja vlerëson se vëllimi i përgjithshëm i liqeneve artificiale në Kosovë arrin rreth 577 milionë metra kub, që përkthehet në afërsisht 360 metra kub ujë për banor. Kjo shifër është dukshëm nën standardin ndërkombëtar të sigurisë ujore, i cili llogaritet mbi 1,000 metra kub për banor.
Bazuar në këto të dhëna, Kosova konsiderohet të jetë në kushte të mungesës së ujit, veçanërisht gjatë stinës së verës dhe në vitet me reshje të pakta. GGK-ja paralajmëron se pa menaxhim më të kujdesshëm të burimeve ekzistuese dhe pa investime në kapacitete të reja ujore, rezervat aktuale nuk do të jenë të mjaftueshme për të përmbushur nevojat afatgjata të vendit.







