Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka hapur procedurë penale ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, duke e akuzuar atë për bllokimin e buxhetit të kryeqytetit dhe pasojat që ky veprim, sipas tij, po shkakton për qytetarët dhe administratën komunale.
Rama njoftoi se kallëzimi është dorëzuar në organet e drejtësisë dhe theksoi se pret përgjegjësi të plotë nga Murati në raport me institucionet, duke e lidhur këtë situatë me qasjen e përgjithshme të qeverisë ndaj Prishtinës. Ai paralajmëroi se komuna nuk do të lejojë që punonjësit dhe shërbimet publike të rrezikohen për shkak të, siç tha, presioneve politike.
Në njoftimin e tij, Rama bëri të qartë se do të shfrytëzojë çdo mjet ligjor për të mbrojtur interesin e Kryeqytetit dhe publikoi edhe dokumentin e kallëzimit penal.
Menjëherë pas kësaj, erdhi reagimi i ministrit Murati, i cili përmes një postimi publik e cilësoi kallëzimin e Ramës si të pavërtetë dhe të pabazuar. /Gjurmuesi/








