Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta përmbyllë pikën e fundit të rendit të ditës, që kishte të bënte me shqyrtimin e parë të projektligjit për buxhetin e këtij viti. Seanca nuk përfundoi me votim, pasi opozita kërkoi shtyrjen e saj për tri ditë me arsyetimin se nevojitet më shumë kohë për diskutim.
Pas kësaj situate ka reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka deklaruar se buxheti i kryeqytetit po bllokohet sërish.
Sipas tij, pengesat nuk janë të natyrës teknike apo administrative, por veprime të qëllimshme për ta dobësuar Prishtinën.
“Buxheti i Kryeqytetit është votuar sipas ligjit. Është dokument zyrtar i Republikës së Kosovës. Çdo ndërhyrje për ta anashkaluar apo për ta sabotuar atë është shkelje e drejtpërdrejtë e rendit institucional.
Le ta them qartë: kur ndalet buxheti i Prishtinës, ndalet ndërtimi i shkollave, ndalet përmirësimi i infrastrukturës, ndalet investimi në çerdhe, ndalet zhvillimi ekonomik. Kjo nuk është luftë ndaj Kryetarit. Kjo është ndëshkim kolektiv ndaj qytetarëve”, thuhet në reagimin e Ramës.
Ai theksoi se Prishtina nuk është pronë e asnjë partie politike dhe se nuk duhet të përdoret si instrument presioni.
“Prishtina nuk është pronë e asnjë partie. Prishtina është Kryeqyteti i Republikës. Nëse Qeveria mendon se mund ta përdorë si mjet presioni politik, atëherë po gabon rëndë.
Madje, i pari i Prishtinës u shpreh se nëse Qeveria vazhdon me këtë qasje, do të ndjek rrugë ligjore dhe institucionale për ta mbrojtur të drejtën tonë.
Do ta bëjmë këtë publikisht, hapur dhe pa kompromis.Kjo nuk është çështje personale. Kjo është çështje dinjiteti institucional dhe respekti ndaj qytetarëve.Prishtina nuk do të heshtë. Prishtina nuk do të frikësohet. Dhe Prishtina nuk do të ndalet” shkroi ndër tjera Rama.







