Një paralajmërim serioz për sigurinë ushqimore është bërë për tregun e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pasi autoritetet evropiane kanë identifikuar një produkt për foshnja të kontaminuar me një bakter potencialisht të rrezikshëm. Rasti lidhet me shpërndarjen e një ushqimi për foshnja që tashmë është nën mbikëqyrje të institucioneve përgjegjëse.
Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë i Komisionit Evropian (Rapid Alert System for Food and Feed – RASFF) ka njoftuar se në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut është shpërndarë një ushqim për foshnja i kontaminuar me bakterin “Bacillus Cereus”.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konfirmuar se bëhet fjalë për produktin e qumështit “Aptamil”, në të cilin është identifikuar prania e këtij bakteri.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës, përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar një njoftim lidhur me një produkt ushqimor, qumështin APTAMIL, në të cilin është identifikuar prania e bakterit ‘Bacillus Cereus’”, thuhet në përgjigje.
AUV ka bërë të ditur se është duke bashkëpunuar me kompaninë importuese për largimin e produktit nga tregu dhe asgjësimin e tij.
“Dhe është duke u marrë me rastin në fjalë në bashkëpunim me kompaninë importuese për grumbullimin dhe asgjësimin e këtij produkti”, thuhet më tej në përgjigje.
Sipas Ligjit për Ushqimin (Nr. 08/L-120), Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është e obliguar që në raste të rrezikut për shëndetin publik të njoftojë menjëherë konsumatorët. Neni 6 i këtij ligji përcakton se “në rast të rrezikut nga ndonjë ushqim, Agjencia ka për obligim ta njoftojë publikun, institucionet shtetërore dhe palët e interesit”.
Nga njoftimi zyrtar i RASFF-it bëhet e ditur se produkti i kategorizuar si “infant food” është prodhuar në Holandë dhe është shpërndarë në disa vende të Bashkimit Evropian, si dhe në rajonin e Ballkanit, përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas analizave laboratorike të kryera në Holandë, në këtë produkt është konstatuar prania e bakterit “Bacillus Cereus” në nivel prej 580 cfu/gr.







