Kabineti i ri qeveritar i kryesuar nga Albin Kurti ka zhvilluar mbledhjen e parë përurues, duke vendosur prioritetet e punës për ditët e para të mandatit.
Kryeministri Kurti bëri të ditur se gjatë mbledhjes është miratuar buxheti i vitit 2026 dhe lista e marrëveshjeve ndërkombëtare që kishin mbetur pezull për miratim në Kuvend, disa prej të cilave me afate skadence. Ai gjithashtu njoftoi se Qeveria ka marrë vendim për të kërkuar nga Kuvendi zgjatjen e Ligjit për Ndarje Buxhetore të vitit të kaluar për muajin mars.
“Kjo është e nevojshme që pensionet dhe pagat në sektorin publik të ekzekutohen në kohë, ndërsa komisionet parlamentare dhe deputetët e legjislaturës së 10-të shqyrtojnë dhe miratojnë buxhetin për vitin 2026,” tha Kurti.
Ai rikujtoi se vitin e kaluar Kuvendi ishte shpërndarë pa miratuar buxhetin e shtetit prej 4 miliardë euro, Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian në vlerë 882.6 milionë euro dhe tre marrëveshje me Bankën Botërore mbi 120 milionë euro, duke rrezikuar përfitimet nga këto projekte.
“Tash që kemi Kuvend të konstituuar dhe Qeveri të re në krye të detyrës, kemi mundësinë ta ratifikojmë këtë paketë marrëveshjesh ndërkombëtare. Shërbimi ndaj Republikës dhe qytetarëve me punë, zell, nder dhe përkushtim është privilegji më i madh që do ta kemi secili prej nesh,” shtoi Kryeministri.







