Më 13 dhjetor, nga ora 13:00, në sheshin “Skënderbeu” në Shkup pritet të mbahet një protestë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndodhen në paraburgim në Hagë. Organizatorët kërkojnë pjesëmarrje të madhe dhe bëjnë thirrje për drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, theksoi se qëllimi është të kërkohet drejtësi dhe të shprehet solidariteti me të paraburgosurit, duke shtuar se protesta nuk synon kundërshtimin e institucioneve, por tregon kundërshtimin ndaj padrejtësive ndaj luftës së UÇK-së. Ai bëri thirrje që qytetarët të marrin pjesë masivisht dhe protesta të jetë e qetë dhe dinjitetshme.
Bujar Dardhishta nga Këshilli Organizativ bëri të ditur se janë dorëzuar dy kërkesa për leje në qytetin e Shkupit dhe se presin miratimin zyrtar. Ai sqaroi se protesta është mbi partiake dhe e orientuar për të gjithë shqiptarët, pa adresuar ndonjë entitet politik në Maqedoni.
Kjo është protesta e pesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, pas atyre të mbajtura më 7 gusht në Prishtinë, në Hagë, në Tiranë dhe në Strasburg. Të katër ish-krerët e UÇK-së janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020 dhe kanë deklaruar pafajësi ndaj akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. /Gjurmuesi/







