Prokuroria Themelore në Prishtinë ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me ekipin vlerësues të Bureau of International Narcotics and Law Enforcement Affairs (INL) nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për të diskutuar mbi sfidat dhe mundësitë për përmirësimin e sektorit të drejtësisë në Kosovë.
Në këtë takim morën pjesë kryeprokurori Zejnullah Gashi, prokurorë të Prokurorisë Themelore, si dhe përfaqësuesit amerikanë Michael Wasco, këshilltar i lartë ligjor, dhe Dafina Bardhi-Rexhepi, INL Program Specialist në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë.
Diskutimet u fokusuan kryesisht në procesin e vlerësimit të sektorit të drejtësisë, me theks të veçantë në luftën kundër krimit të organizuar dhe aktivitetet e organizatave kriminale transnacionale. Kryeprokurori Gashi vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehu gatishmërinë e Prokurorisë për ta forcuar më tej partneritetin me INL, me qëllim rritjen e efikasitetit të sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik.
Përfaqësuesit e INL-së theksuan rëndësinë e një qasjeje të koordinuar dhe ndërmarrjes së veprimeve konkrete për sfidat e sigurisë dhe drejtësisë, duke rikujtuar mbështetjen e tyre të vazhdueshme. Prokuroria Themelore riafirmoi angazhimin për të thelluar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet vendore për të siguruar një sistem drejtësie më transparent dhe efikas. /Gjurmuesi/







