Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se impianti për trajtimin e ujit në Shkabaj ka ndaluar punën që nga ora 05:00 e mëngjesit, për shkak të turbullirave shumë të larta në kanalin Ibër-Lepenc, të shkaktuara nga punimet aktuale në këtë kanal.
Si pasojë, disa zona po përballen me mungesë furnizimi me ujë, duke përfshirë Fushë-Kosovën, Drenasin, Obiliqin, një pjesë të lagjes Kalabria në Prishtinë dhe pikat e larta të lagjes Arbëria. Kompania paralajmëron se ndikime dhe reduktime të tjera mund të ndodhin edhe në zona të tjera të kryeqytetit.
Ekipet e KRU “Prishtina” janë në terren dhe monitorojnë gjendjen në kohë reale. Furnizimi me ujë do të rikthehet sapo të stabilizohen parametrat në kanalin furnizues.
Kompania ka kërkuar ndjesë për qytetarët për shqetësimet, duke sqaruar se situata ka ndodhur pa fajin e saj, pasi menaxhimi i kanalit Ibër-Lepenc nuk i përket KRU “Prishtina”. /Gjurmuesi/









