Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ku në qendër të diskutimeve ishin zhvillimet aktuale politike në vend.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë bisedës është trajtuar procesi i konstituimit të Kuvendit dhe formimi i Qeverisë, me theks të veçantë në rëndësinë e përmbylljes së proceseve kushtetuese dhe konsolidimit të plotë institucional, në funksion të stabilitetit demokratik, zhvillimit të vendit dhe adresimit të nevojave të qytetarëve.
Në takim është folur edhe për rolin e Kosovës në Bordin e Paqes, si dhe për hapat e mëtejmë që pritet të ndërmerren në këtë drejtim.
Me këtë rast, Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e palëkundur të Republikës së Kosovës për linjëzim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në përputhje me interesat strategjike të vendit, si dhe për thellimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.







