Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku do të përfaqësojë Kosovën në një nga forumet më të rëndësishme globale për qeverisjen dhe zhvillimin.
Ajo do të marrë pjesë në Samitin Botëror të Qeverisjes, me qëllim thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar si dhe prezantimin e vizionit të Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm, inovacion dhe partneritete strategjike.
Presidentja Osmani është ftuar në këtë samit nga Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartmadhëria e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan. Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë liderë të shumtë botërorë, me të cilët ajo do të zhvillojë takime bilaterale për të diskutuar mundësi konkrete bashkëpunimi dhe projekte të përbashkëta.
Gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe, e para e shtetit do të marrë pjesë në sesione kyçe të samitit, ku do të mbajë edhe fjalime kryesore. Po ashtu, ajo do të angazhohet në sesione të ndryshme të forumit dhe në tryeza tematike.
Samiti Botëror i Qeverisjes shërben si një platformë globale që mbledh liderë shtetërorë, organizata ndërkombëtare dhe kompani të mëdha, për të diskutuar të ardhmen e qeverisjes dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.







