Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim të mërkurën me drejtorin e Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, duke theksuar rëndësinë e këtij institucioni si një qendër kujtese kombëtare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani vuri në dukje se instituti ruan e dokumenton të vërtetën për periudhën më të vështirë të historisë së Kosovës, duke mbajtur gjallë kujtesën e krimeve të kryera nga Serbia ndaj popullit kosovar. Ajo theksoi se çdo jetë e humbur është një kujtesë e dhimbshme që pa drejtësi dhe pa ruajtjen e të vërtetës nuk mund të ketë paqe të vërtetë.
Presidentja shtoi se Instituti nuk është vetëm një arkiv i dokumenteve, por gjithashtu ndërgjegjja e kombit, dëshmia e sakrificave mbi të cilat është ngritur liria e Kosovës. Osmani i bëri thirrje çdo qytetari, studiuesi dhe të riu të vendit që të mbrojë dhe të ruajë këtë kujtesë, duke nënvizuar se historia nuk duhet harruar, por të tregohet dhe të mbrohet me dinjitet dhe të vërtetën si themel. /Gjurmuesi/







