Policia e Kosovës në Ferizaj, në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI), ka finalizuar operacionin e koduar “Kulla” pas një hetimi disamujor kundër trafikimit të drogës.
Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar katër persona dhe janë konfiskuar 4.6 kilogramë kokainë. Policia njoftoi se gjatë realizimit të këtij operacioni, hetuesve të DHTN-Ferizaj iu ofrua mbështetje nga njësitë tjera policore të DHTN Prishtinë, Njësitë Speciale të Interventimit dhe njësitë mbështetëse të tjera. Të arrestuarit janë: A.L., mashkull, shtetas i Shqipërisë, lindur në 1973; M.B., mashkull, shtetas i Shqipërisë, lindur në 1971; A.B., mashkull, kosovar, lindur në 1997; dhe A.B., mashkull, kosovar, lindur në 1993.
Dy persona të tjerë të dyshuar aktualisht gjenden në arrati. Përveç kokainës, e cila ka një vlerë tregu prej 140 mijë eurosh, Policia ka konfiskuar një pistoletë me 14 fishekë, dy telefona celularë, para të gatshme, dy automjete dhe një motor katër-rrotësh.
Të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje për një periudhë deri në 48 orë me aktvendim të prokurorisë. /Gjurmuesi/







