Hetimet për dyshimet e manipulimit të votave në zgjedhjet e fundit po intensifikohen, ndërsa autoritetet po përballen me mungesën e bashkëpunimit nga një pjesë e personave të përfshirë në procesin zgjedhor.
Rreth 20 komisionarë, të angazhuar drejtpërdrejt në procesin zgjedhor, nuk i janë përgjigjur ftesës së Prokurorisë dhe Policisë për t’u intervistuar. Si pasojë, Policia e Kosovës ka nisur kërkimin e tyre me qëllim sigurimin e pranisë për procedurat hetimore.
Ndërkohë, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prizren, deri tani janë intervistuar mbi 60 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që kanë qenë të përfshirë në organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve.
Sipas burimeve, disa nga personat e intervistuar pritet të ndalohen për 48 orë, në varësi të rrjedhës dhe gjetjeve të hetimeve në vazhdim.
Në total, mbi 100 zyrtarë të angazhuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë zgjedhjeve të 28 dhjetorit janë ftuar për intervistim, ndërsa gjatë ditës pritet që të ketë edhe persona të ndaluar.
Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, kishte autorizuar me shkrim Policinë e Kosovës që, me vetiniciativë, të identifikojë personat përgjegjës dhe të sigurojë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet. Këtë informacion Kryeziu e kishte konfirmuar ditë më parë për “Betimi për Drejtësi”.
Prokuroria Themelore në Prizren kishte bërë të ditur se ka monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të votave dhe se, ndërsa rinumërimi po i afrohet përfundimit, janë evidentuar keqpërdorime të dukshme gjatë numërimit të votave brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit.
Sipas Prokurorisë, pas rinumërimit në disa vendvotime janë vërejtur dallime mes fletëvotimeve dhe votave të numëruara për kandidatët brenda subjekteve politike, duke ngritur dyshime serioze për keqpërdorim të votave.
Autoritetet kanë theksuar se manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore përbëjnë vepra penale dhe se këto raste do të trajtohen pa asnjë kompromis.







