Me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës ka aktivizuar një plan të veçantë operativ dhe preventiv, për të garantuar që aktivitetet dhe manifestimet festive të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të sigurt, duke mundësuar qytetarëve të festojnë ditën e pavarësisë.
Festimet për këtë vit do të zhvillohen kryesisht përmes ngjarjeve kulturore, aktiviteteve dhe manifestimeve të ndryshme që fillojnë më 16 shkurt 2026 dhe vazhdojnë sipas agjendës shtetërore, duke përfshirë edhe parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës më 17 shkurt.
Qëllimi i masave operative policore është ruajtja e rendit dhe qetësisë publike, zbatimi i ligjit, shtimi i sigurisë gjatë aktiviteteve të organizuara nga institucionet shtetërore, si dhe monitorimi dhe reagimi i menjëhershëm ndaj çdo situate për të siguruar mbrojtje maksimale për qytetarët.
Si pjesë e masave të sigurisë, disa segmente rrugore të kryeqytetit do të kenë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit, duke filluar nga ora 07:00, përfshirë rrugët Fehmi Agani, Luan Haradinaj, Kostra Novakoviq, Tiranës dhe rrugën e hekurudhës në kthim, si dhe një pjesë të rrugës Robert Doll për parkimin e autobusëve dhe kamionëve të personelit të PK-së dhe FSK-së.
Për të shmangur kolonat dhe për të lehtësuar qarkullimin, qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik lutën të përdorin rrugë alternative, ku do të kujdesen njësitë policore të trafikut. Policia e Kosovës falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm gjatë këtyre aktiviteteve.







