Autoritetet e Romës kanë ndërmarrë masa për largimin e disa prej pishave historike që rrethojnë zonën e Forumit të lashtë Romak, pasi kontrollet teknike kanë treguar se një pjesë e tyre paraqesin rrezik serioz për shembje.
Vendimi vjen pasi tre pemë të mëdha janë rrëzuar që nga fillimi i janarit përgjatë rrugës që lidh Koloseu me Piazza Venezia, një segment i frekuentuar si nga turistët ashtu edhe nga banorët.
Pishat, të cilat prej dekadash ofrojnë hije gjatë verës, po bëhen gjithnjë e më të brishta. Sipas autoriteteve, ndryshimet klimatike kanë ndikuar ndjeshëm në gjendjen e tyre, pasi moti në Romë karakterizohet nga periudha me temperatura ekstreme të ndjekura nga reshje të dendura shiu.
Rruga piktoreske u mbyll përkohësisht dhe u krijua një komitet teknik për të analizuar situatën. Në deklaratë bëhet e ditur se nga 36 pemët e para të testuara pranë forumit, 12 rezultuan të paqëndrueshme, ndërsa 24 të tjera u konsideruan të sigurta ose kërkojnë kontrolle të mëtejshme.
Zona përreth përfshin 54 pisha historike, shumë prej të cilave besohet të jenë rreth 120 vjeç.
Sipas deklaratës, autoritetet synojnë që rruga të rihapet pjesërisht për këmbësorët duke filluar nga e hëna, ndërkohë që testimet do të vazhdojnë edhe për pemët e mbetura.
“Pishat e hequra do të zëvendësohen me pisha të të njëjtit lloj, me madhësi dhe moshë të përshtatshme”, thuhej në deklaratë.
Përveç ndikimit të kushteve ekstreme atmosferike, shumë prej pishave që dikur ishin pjesë karakteristike e peizazhit të Romës janë dëmtuar edhe nga insektet. Dy vjet më parë, autoritetet e qytetit vlerësuan se deri në 80 për qind e rreth 60 mijë pishave në Romë ishin të infektuara me insekte me luspa, çka çoi në nisjen e një programi për kontrollin e dëmtuesve.







