Në një deponi mbeturinash në Këln është zbuluar krejt rastësisht një koleksion veprash arti me vlerë të lartë. Galeristi 45-vjeçar Kerem Akar, ndërsa po hidhte mbeturinat e tij, hasi disa piktura të braktisura që menjëherë i ngjallën kureshtje për shkak të nënshkrimit në to.
Pas verifikimit, Akar kuptoi se bëhej fjalë për punime të artistit të ndjerë Ole Fischer, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2005 dhe është i njohur në katalogë arti e ankande ndërkombëtare.
Vlerësimet e para tregojnë se dhjetë pikturat e gjetura mund të kapin shumën e rreth 90 mijë eurove. Ende nuk dihet se kush i ka hedhur në mbeturina këto vepra të çmuara.
Akar ka deklaruar se nuk e ka ndërmend t’i shfrytëzojë financiarisht zbulimet, por synon t’i nderojë ato si vepra arti. Për këtë arsye, ai ka paralajmëruar se pikturat do të ekspozohen në galerinë e tij gjatë muajit dhjetor. /Gjurmuesi/









