Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është shënuar një arritje e rëndësishme në fushën e mjekësisë, pasi në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare është kryer me sukses ndërhyrja e parë kirurgjikale për trajtimin e sindromës “Eagle”, një patologji e rrallë dhe komplekse.
Pacienti M. D., rreth 65 vjeç, sipas njoftimit zyrtar, kishte shfaqur simptoma klinike të vazhdueshme që kërkonin vlerësim të detajuar mjekësor.
“Pas ekzaminimeve të nevojshme biokimike, radiologjike dhe të tjera, u konstatua një zgjatje e procesit stiloid me gjatësi rreth 5.5 cm, gjë që e bënte të domosdoshëm trajtimin kirurgjikal”, thuhet në njoftim.
Duke marrë parasysh përfshirjen e strukturave vaskulare të qafës, SHSKUK-ja bën të ditur se është vendosur që ndërhyrja të kryhet në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, përmes qasjes ekstraorale, e cila siguron ekspozim optimal anatomik dhe kontroll të plotë të strukturave vitale vaskulare dhe nervore.
Operacioni është realizuar me sukses, ndërsa pacienti ka shfaqur përmirësim të menjëhershëm të gjendjes shëndetësore. Aktualisht, ai ndodhet në gjendje të mirë dhe pritet të lirohet së shpejti për trajtim shtëpiak.
Sindroma “Eagle” shkaktohet nga zgjatja jonormale e procesit stiloid në bazën e kafkës dhe zakonisht manifestohet me dhimbje të forta në qafë dhe fyt, vështirësi në gëlltitje, si dhe në raste të caktuara, me çrregullime të qarkullimit të gjakut për shkak të afërsisë me arteriet karotide.









