Ndërtimi i një spitali modern në Mitrovicën e Jugut pritet të nisë pas formimit të Qeverisë Kurti 3, duke shënuar një investim të rëndësishëm në sektorin e shëndetësisë për këtë qytet.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka bërë të ditur se kjo çështje është diskutuar në një takim me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, ku fokusi ka qenë te projektet shëndetësore që do të realizohen nga ministria në Mitrovicë dhe dinamika e zbatimit të projektit për spitalin e ri.
“Sot mirëprita në takim ministrin e Shëndetësisë, z. Arben Vitia. Diskutuam në lidhje me sektorin e shëndetësisë, posaçërisht për projektet që do të realizohen në Mitrovicë nga kjo ministri si dhe për ecurinë dhe dinamikën e realizimit të projektit për ndërtimin e spitalit. Spitali i ri, me hapësira moderne dhe me të gjitha shërbimet shëndetësore, do të realizohet, ndërsa implementimi i tij do të fillojë sapo Qeveria Kurti 3 të formohet”, ka shkruar Peci.
Po ashtu, ai ka njoftuar se gjatë takimit është shqyrtuar edhe mundësia e zhvendosjes së ambulancave specialistike nga Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës në hapësira më të përshtatshme dhe më moderne të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).









