Projektligji për buxhetin e Kosovës për vitin 2026 po përballet me kundërshtim nga dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin në formën aktuale.
Gjatë seancës plenare ku po shqyrtohet buxheti, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, kritikoi qeverinë për mungesë reflektimi dhe për mosndryshimin e projektligjit pavarësisht vërejtjeve të dhëna në leximin e parë. Ai njoftoi se PDK-ja ka tërhequr amendamentet e propozuara, duke sinjalizuar se partia nuk do ta mbështesë buxhetin për këtë vit.
“PDK edhe në diskutimin paraprak këtu në Kuvend i ka dhënë vërejtjet e veta në kuptimin profesional, teknik, por edhe në reflektimin e nevojave që i ka pasur buxheti. Ne kemi pritur që brenda dy leximeve ka me pasë reflektim dhe ka me pasë ndryshime pozitive, që buxheti të avancohet në aspekt profesional”, tha Tahiri.
Edhe LDK-ja ka paralajmëruar votë kundër. Shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Jehona Lushaku – Sadriu, deklaroi se buxheti nuk do të mbështetet nëse nuk përfshihen 21 amendamentet e propozuara nga grupi i tyre.
Ajo kërkoi që amendamentet të hidhen në votim, duke theksuar se në të kundërtën nuk do ta votojnë shqyrtimin e dytë të projektligjit.
“Ne si grup parlamentar i kemi paraqitur 21 amendamentet dhe nuk kanë kaluar përmes komisionit për buxhet, andaj iu bëjmë thirrje t’i vëni amendamentet tona në votim, sepse besojmë që adresojnë probleme reale të qytetarëve. Përndryshe, buxhetin nuk e votojmë.” – tha Lushaku – Sadriu.







