Debati mbi ekzekutuesin e penalltive te FC Basel ka gjetur një zgjidhje nga trajneri i skuadrës, Ludovic Magnin, pas barazimit pa gola kundër St. Gallen, ku Xherdan Shaqiri humbi penalltinë e tretë të sezonit. Pas deklaratës së tij se hierarkia e gjuajtësve do të analizohej, u krijuan spekulime rreth rolit të kapitenit.
Megjithatë, Magnin e qartësoi situatën duke thënë se vendimi për të vazhduar apo jo gjuajtjen e penalltive është i Shaqirit: “Nëse Shaqiri dëshiron të vazhdojë të gjuajë penallti, ai do t’i gjuajë ato. Nuk ka diskutim për këtë”. Ai shtoi se deklarata e mëparshme u keqkuptua dhe se kjo situatë do të kishte kaluar pa efekt në Lausanne, por jo në Basel.
Trajneri pranoi se humbja e dy penalltive radhazi është e dhimbshme dhe fatkeqe për ekipin, por besimi tek kapiteni mbetet i palëkundur: “Ai është kapiteni ynë dhe nëse e merr topin, do ta marrë. Për mua nuk ka absolutisht asnjë arsye për ta vënë në dyshim”.
Qëndrimi i Magnin e forcon pozicionin e Shaqirit si lider i skuadrës, duke treguar se, pavarësisht vështirësive në ekzekutimin e penalltive, kapiteni mbetet figura kryesore dhe e besuar e FC Basel. /Gjurmuesi/








