Qytetarët e Prishtinës janë përballur për nëntë ditë me mungesën e transportit publik për shkak të grevës së punëtorëve të Trafikut Urban, periudhë e cila ka shkaktuar telashe sidomos për ata që kanë paguar paraprakisht biletat mujore. Pas rifillimit të shërbimit, ndërmarrja ka konfirmuar se të gjitha ditët e humbura do të kompensohen për poseduesit e biletave.
Zyrtarët e Trafikut Urban kanë sqaruar se kompensimi do të realizohet për çdo biletë mujore aktive gjatë kohës së grevës. Procesi i rregullimit të vlefshmërisë së biletave do të kryhet automatikisht pas vulosjes në kioska.
“Paraqituni në cilëndo nga kioskat e Trafikut Urban dhe paraqisni biletën tuaj mujore aktuale. Punëtori në kioskë do të vendosë vulën zyrtare të zgjatjes. Pas vulosjes, biletës do t’i shtohen automatikisht ditët e humbura. Vlen të theksohet se 50% të atyre të cilët kanë pasur bileta mujor tashmë u janë kompensu”, tha Qendrim Vitija, u.d. i kryeshefit të ‘Trafikut Urban’.
Ai shtoi se qytetarët mund ta bëjnë kompensimin në njërën nga tri kioskat e funksionalizuara për këtë proces. Lokacionet ku ofrohet shërbimi janë: afër objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës, në lagjen Kodra e Diellit dhe pranë nënkalimit në Bulevardin “Bill Clinton”.
Grevë ka zgjatur nga 24 nëntori deri më 2 dhjetor, periudhë që përfshin në total 9 ditë të cilat do t’u shtohen automatikisht biletave mujore pas procedurës së verifikimit dhe vulosjes. /Gjurmuesi/







