Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se zbatimi i programit për mandatin e ri ka filluar zyrtarisht me hyrjen në fuqi të buxhetit të miratuar së fundmi në Kuvend.
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ai bëri të ditur se buxheti është votuar në lexim të dytë më 20 shkurt dhe arrin vlerën rreth 4 miliardë euro. “Punën përmes përmbushjes së zotimeve në këtë mandat të ri e nisim me buxhetin e miratuar në Kuvend në lexim të dytë më 20 shkurt”, u shpreh Kurti.
Ai njoftoi se në këtë buxhet përfshihet edhe paga e 13-të për punëtorët e sektorit publik, e cila pritet të ekzekutohet në fund të muajit aktual. “Buxheti në vlerë rreth 4 miliardë euro përfshin edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik, që do të shpërndahet në fund të këtij muaji që nisi sot”, deklaroi ai.
Sipas tij, miratimi i këtij buxheti përbën hapin e parë konkret drejt realizimit të prioriteteve të qeverisë në mandatin e ri.









