Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur urimet e saj për 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë.
Në një postim në Facebook, Osmani kujtoi historinë e flamurit të ngritur në Vlorë 113 vjet më parë dhe theksoi se ai simbolizon bashkimin e zemrave të shqiptarëve kudo që ndodhen. Ajo shtoi se ceremonia e sotme nderon jo vetëm Ditën e Pavarësisë, por edhe sakrificën e shqiptarëve në të gjitha trevat.
“113 vjet më parë, në Vlorë u ngrit flamuri që bashkon zemrat e gjithë shqiptarëve kudo që janë. Sot, kur e ngremë përsëri këtë flamur kuqezi, nderojmë jo vetëm Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe sakrificën e gjithë kombit, nga Vlora në Prishtinë, nga Shkodra në Shkup, në Mitrovicë, Preshevë e Ulqin, në mërgatë e kudo që rreh zemra shqiptare”, shkroi presidentja.
Ajo theksoi gjithashtu se flamuri është simbol i historisë së përbashkët dhe udhërrëfyes drejt një të ardhmeje evropiane. “Ky flamur është historia jonë e përbashkët, simboli që na bashkoi në ditët më të vështira dhe që na udhëheq sot drejt një të ardhmeje evropiane. Gëzuar 113-vjetorin e Pavarësisë! Rroftë flamuri kuqezi! Rroftë kombi shqiptar!”, përfundoi Osmani. /Gjurmuesi/







