Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do ta përfaqësojë Kosovën në një iniciativë ndërkombëtare për paqen, pas një ftese të drejtpërdrejtë të marrë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Bëhet fjalë për Bordin e Paqes për Gazën, ku Kosova është ftuar të marrë pjesë si anëtare themeluese. Lajmin e ka konfirmuar vetë presidentja Osmani përmes një postimi në Facebook, ku ka bërë të ditur se e ka pranuar ftesën dhe ka publikuar edhe letrën zyrtare të dërguar nga Trump.
“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt. Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë. Pikërisht këtë po e bën Presidenti Trump nëpërmjet kësaj iniciative historike. Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej. Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes – dhe ne jemi gati”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka theksuar se kjo ftesë përfaqëson vazhdimësi të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, si dhe angazhimin e Kosovës në iniciativa globale për paqe dhe siguri.
Në këtë bord më herët është ftuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndërsa pjesë e tij do të jenë edhe liderë nga shumë vende të botës.
Në letrën e drejtuar presidentes Osmani, Trump thekson rëndësinë e kësaj nisme ndërkombëtare:
“Është një nder i madh për mua t’ju ftoj ju, si Presidente e Republikës së Kosovës, të më bashkoheni në një përpjekje Historike dhe Madhështore për forcimin e Paqes në Lindjen e Mesme dhe, njëkohësisht, të ndërmarrim një qasje të re plot guxim për zgjidhjen e Konfliktit Global!” – thuhet në letrë.
“Si Kryetar i Bordit, ftoj zyrtarisht Republikën e Kosovës të përfaqësuar nga ju, të na bashkohet si Shtet Anëtar Themelues, dhe të bëhet palë në Kartën e Bordit të Paqes. Ky bord do të jetë aq i veçantë sa kurrë më parë nuk ka ekzistuar diçka e ngjashme me të! Çdo Shtet Anëtar mund të caktojë një përfaqësues të autorizuar në emër të tij për të marrë pjesë dhe kontribuar në takime. Me kënaqësi pres të punojmë së bashku, edhe për shumë gjatë në të ardhmen, drejt qëllimit të vendosjes së përhershme të PAQES BOTËRORE, MIRËQËNIES, DHE MADHËSHTISË PËR TË GJITHË!”







