Bota po përballet me një krizë të thellë të ujit që rrezikon jetën e miliarda njerëzve, thuhet në një raport të ri të Kombeve të Bashkuara. Ekspertët paralajmërojnë se shfrytëzimi i pakontrolluar dhe ndotja e burimeve ujore po e çojnë sistemin global drejt kolapsit, me pasoja serioze për stabilitetin shoqëror dhe paqen.
Raporti thekson se shumë shoqëri kanë konsumuar ujin më shpejt sesa ai mund të rimbushet natyrshëm, ndërsa akuiferët dhe ligatinat janë shkatërruar ose shfrytëzuar tej mase. Kriza klimatike e ka përkeqësuar situatën duke shkrirë akullnajat dhe duke sjellë alternime ekstreme mes thatësirave dhe reshjeve të dendura.
Si pasojë, rreth 75 për qind e popullsisë botërore jeton në vende që konsiderohen të pasigurta ose kritikisht të pasigurta nga ana e ujit, ndërsa dy miliardë njerëz jetojnë në zona që po fundosen për shkak të shfrytëzimit të tepërt të ujërave nëntokësore.
Raporti vëren se konfliktet për ujin janë rritur ndjeshëm që nga viti 2010. Lumenj të mëdhenj si Kolorado në SHBA dhe sistemi Murray–Darling në Australi nuk arrijnë më në det, ndërsa qytete të ndryshme kanë përjetuar situata të “ditës zero”, kur uji pothuajse mbaron. Gjithashtu, gjysma e liqeneve të mëdha të botës janë zvogëluar që nga vitet ’90.
Profesori Kaveh Madani, udhëheqës i raportit, paralajmëron: “Ky raport tregon një të vërtetë të pakëndshme: shumë sisteme kritike të ujit janë tashmë të falimentuara. Është jashtëzakonisht urgjente sepse askush nuk e di saktësisht se kur do të shembej i gjithë sistemi.”
Sipas të dhënave, rreth 70 për qind e ujit të ëmbël përdoret në bujqësi, ndërsa më shumë se gjysma e ushqimit global prodhohet në zona me furnizim të paqëndrueshëm me ujë. Mungesat në vende si India apo Pakistani mund të ndikojnë drejtpërdrejt në tregjet ushqimore botërore.
Raporti përmend edhe fundosjen e qyteteve si pasojë e shfrytëzimit të ujërave nëntokësore, me raste të theksuara në Iran, SHBA dhe Meksikë, si dhe shkatërrimin masiv të ligatinave, në një sipërfaqe të krahasueshme me Bashkimin Evropian gjatë 50 viteve të fundit.
Në përfundim, raporti kërkon ndryshime rrënjësore në menaxhimin e ujit, duke ulur kërkesat dhe duke transformuar sektorët që e përdorin më intensivisht këtë burim jetik. Profesori Albert Van Dijk vlerëson se sfida është reale dhe paralajmëron se problemi nuk është vetëm mungesa e ujit, por fakti se ai po vjen gjithnjë e më shpesh “në vendin dhe kohën e gabuar”.









