Kapiteni Ymërdin Hasani nga Forca e Sigurisë së Kosovës ka përfunduar me sukses Kursin e Çështjeve Civile në Fort Bragg, Karolina e Veriut, në Qendrën dhe Shkollën e Luftës Speciale “John F. Kennedy” në SHBA.
Gjatë këtij trajnimi, Hasani u vlerësua për performancën e tij të lartë dhe u nderua me Medaljen për Arritje Ushtarake, një njohje që jepet për pjesëtarët që tregojnë rezultatet më të mira në programet e specializuara. Kursi fokusohet në përgatitjen e oficerëve për bashkëpunim me komunitetet lokale, vlerësimin e nevojave civile dhe koordinimin e projekteve që përmirësojnë stabilitetin dhe zhvillimin e zonave operative.
Përmes këtij programi, Kapiten Hasani ka fituar njohuri të avancuara për menaxhimin e situatave civile, bashkëpunimin me institucionet vendore dhe organizatat partnere, si dhe për forcimin e ndërveprimit midis forcave ushtarake dhe popullsisë civile.
Forca e Sigurisë së Kosovës thekson se njohuritë dhe aftësitë e fituara nga Hasani do të përdoren për të përmirësuar kapacitetet e Çështjeve Civile dhe për të kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të forcës. /Gjurmuesi/







