Në Spanjë, një rast i pazakontë ka tërhequr vëmendjen e medias, ku një punonjëse është larguar nga puna për shkak se paraqitej në zyrë para fillimit të orarit zyrtar. Ngjarja ka shkaktuar debate rreth respektimit të rregullave të punës dhe kufijve të disiplinës në ambientin profesional.
Bëhet fjalë për një 22-vjeçare që punonte në logjistikë dhe që gjatë dy viteve të fundit vinte rregullisht 40 minuta para orarit zyrtar, që nis në 07:30. Para largimit nga puna, ajo ishte paralajmëruar të paktën 19 herë, si me shkrim ashtu edhe gojarisht, që të respektojë orarin. Për eprorin, paraqitja më herët përbënte shkelje të rregullave të punës.
Përveç kësaj, kompania e akuzoi punonjësen edhe për shitjen e një baterie të përdorur të veturës së kompanisë pa autorizim. Punonjësja paditi punëdhënësin në gjykatën e Alicantes, duke pretenduar se ishte larguar padrejtësisht, por gjykata vendosi në favor të kompanisë. Sipas saj, problemi nuk ishte “te korrektësia e orarit”, por këmbëngulja e punonjëses për të mos respektuar rregullat, një shkelje e rëndë sipas nenit 54 të Kodit të Punës në Spanjë.
Rasti ka shkaktuar debat në opinionin publik spanjoll, ndërsa ekspertët theksojnë se kompanitë kanë të drejtë të zbatojnë rregullat e orarit të punës. Sipas raportimeve, ekziston mundësia që punonjësja të apelojë vendimin në Gjykatën e Lartë në Valencia. /Gjurmuesi/









