Një hap i rëndësishëm për sportin e xhudos në Kosovë është bërë realitet sot, 12 dhjetor, me fillimin e punimeve për ndërtimin e Qendrës Nacionale të xhudos në Pejë. Ky projekt i shumëpritur synon të krijojë një hapësirë moderne për trajnim dhe zhvillim të sportistëve të këtij disipline.
Trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, bëri të ditur lajmin përmes rrjeteve sociale, duke shprehur gëzimin e tij për realizimin e këtij investimi të përbashkët mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Federatës së Xhudos.
“Investim i MKRS në marrëveshje me federatën tonë! Aty ku u ndërtuan 5 medaljet Olimpike prej tyre 3 të arta do të bëhet një qendër moderne për sportin e xhudos! E gëzofshim me shumë medalje e suksese të reja!”, shkroi Kuka.
Qendra Nacionale e xhudos pritet të ofrojë kushte të avancuara për përgatitjen e sportistëve dhe të shërbejë si një qendër referimi për zhvillimin e xhudos në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. /Gjurmuesi/








