Një incident i rëndë ka tronditur sot fshatin Gadime e Epërme të Lipjanit, ku një grua dyshohet të ketë qenë viktimë e një sulmi me sëpatë nga bashkëshorti i saj.
Ngjarja po trajtohet si “Vrasje në tentativë”, konfirmoi Kaltrina Shala, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke iu referuar nenit 172, paragrafi 1.8 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas saj, i dyshuari ndodhet ende në arrati.
Prokurori i shtetit, në koordinim me njësitë e tjera relevante, po ndërmerr të gjitha veprimet për kapjen e tij, theksoi Shala.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se i dyshuari është identifikuar dhe po vijojnë procedurat për arrestimin e tij.
“Sot në stacionin policor të Lipjanit është inicuar një rast vrasje në tentativë. Hetuesit policor, në koordinim me prokurorinë, kanë nisur veprimet hetimore e procedurale, ndërkohë që personi i lënduar (femër) është dërguar për tretman mjekësor. Lidhur me rastin është identifikuar personi i dyshuar, i cili aktualisht është në kërkim nga ana e policisë,” tha Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë. /Gjurmuesi/







