Një rast i rëndë dhune në familje ka ndodhur në Durrës, ku një grua e moshuar ka përfunduar në spital me lëndime serioze pasi u sulmua nga bashkëshorti i saj. Ndërhyrja e shpejtë e Policisë ka shmangur pasoja edhe më të rënda.
Sipas njoftimit zyrtar, policia reagoi menjëherë pas thirrjes për ndihmë, duke mbërritur në banesën ku po zhvillohej konflikti.
Hetimet e para zbuluan se një 76-vjeçar kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes 70-vjeçare, të identifikuar si F. D., duke e goditur në kokë me një shkop druri gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Autoritetet theksuan se ndërhyrja e menjëhershme e efektivëve ka parandaluar që situata të përfundonte me pasoja fatale.
Si rezultat i goditjeve, viktima ka marrë dëmtime të rënda dhe është transportuar urgjentisht në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim mjekësor. /Gjurmuesi/







