Kryeqyteti po përballet me një krizë serioze në transportin publik, sipas paralajmërimit të bërë nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një konferencë të mbajtur sot për media. Ai tha se situata financiare e ndërmarrjeve komunale ka arritur në pikën ku shërbimet bazë nuk mund të mbahen më.
Rama njoftoi se nga dita e nesërme transporti publik në Prishtinë do të ndërpritet tërësisht.
“Sapo përfundova takimin me ndërmarrjen e transportit publik dhe, që nga nesër, transporti publik fatkeqësisht do të ndalet. Me keqardhje të thellë e them se nuk e kam besuar se qytetarët e këtij vendi do të viheshin në rrezik për shkak të çështjeve të biznesit”, deklaroi ai.
Kreu i Prishtinës shtoi se qytetarët janë vënë në rrezik më shumë se kurrë më parë, duke theksuar se situata e krijuar është pasojë e problemeve të thella financiare dhe institucionale që, sipas tij, po pengojnë funksionimin normal të kryeqytetit. /Gjurmuesi/







