Në rrjete të mbyllura të komunikimit, përfshirë grupet në “Telegram” të njohura si “Bunker” dhe “Koridori”, po vërehet një nivel shqetësues i organizimit dhe propagandës ekstremiste me karakter të hapur anti-shtetëror ndaj Republikës së Kosovës.
Gazetari i Kiks Kosova, Herolind Ademi është futur fshehurazi brenda këtyre kanaleve, ku vërehet se serbët funksionojnë si shërbim sekret, duke publikuar emra dhe të dhëna personale të shqiptarëve që shkojnë në veri.
Në emisionin “Kosova Today”, Ademi tha se këto grupe janë shumë të rrezikshme, duke theksuar se anëtarët e tyre janë të armatosur.
“Është e rrezikshme për shkak se brenda këtyre grupeve ekstremiste të cilat po funksionojnë në rrjetin social Telegram, i cili është i njohur për sigurinë dhe fshehtësinë që mund të kenë këta anëtarë. Është e rrezikshme sepse këta persona janë të armatosur, dhe vet i publikojnë këto armë”, tha Ademi.
Gazetari shtoi se “Bunkeri” përbëhet nga rreth 10 mijë anëtarë, derisa tha se grupi tjetër “Koridori”, ka më pak anëtarë, pasi sipas tij, sekretet nuk i ndajnë me shumë persona.
Ademi shtoi se në këto grupe, nga anëtari Knjaz Mihajlo u paralajmërua edhe sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Një nga format më shqetësuese, sipas gazetarit, ishte shënjestrimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, si dhe fajësimi i tyre për sulmin në kanalin Ibër-Lepenc.
Në postimet e tyre, policët publikohen një nga një, me emër dhe të dhëna personale. Në shënjestër të këtij grupi ka qenë edhe zëvendësdrejtori i Policisë për veriun e vendit, Veton Elshani.







