Një rrëshqitje masive dhe shkëputje të materialeve inertesh ka bllokuar pjesën e rrugës Breg Lumi–Theth në Shkodër, rreth 100 metra nga ura e fshatit Gimaj, për shkak të motit të keq. Ngjarja ka lënë të bllokuar pesë automjete me nëntë persona brenda.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, bëri me dije përmes rrjeteve sociale se menjëherë janë vënë në punë fadromat dhe makineritë e rënda për të larguar masivin dhe për të rikthyer qarkullimin. Po ashtu, një ekip i emergjencave civile është nisur drejt zonës për të vlerësuar gjendjen dhe për të ndërhyrë me mjete speciale për evakuimin e personave të bllokuar.
Strukturat përgjegjëse po punojnë me intensitet maksimal për të normalizuar trafikun dhe për të siguruar mbështetje të menjëhershme për qytetarët e prekur nga situata, e shkaktuar nga kushtet e vështira atmosferike. /Gjurmuesi/







