Në ujërat e Karaibeve, pranë brigjeve të Belizes, ndodhet një formacion nënujore që vazhdon të sfidojë teknologjinë dhe studiuesit. E njohur si Taam ja’, kjo vrimë e kaltër në Gjirin Chetumal konsiderohet ndër më enigmatiket në botë, pasi thellësia e saj e saktë ende nuk është përcaktuar me siguri.
Përpjekjet për ta matur kanë nxjerrë rezultate mbresëlënëse, por jo përfundimtare. Duke përdorur sonar për hartëzimin e saj, studiuesit arritën në përfundimin se Taam ja’ mund të jetë rreth 274 metra e thellë. Megjithatë, ndryshimet në temperaturë dhe kripësi në shtresa të ndryshme të ujit mund të kenë ndikuar në saktësinë e matjeve.
Zhytësit kanë zbritur deri në rreth 30 metra thellësi, ku kanë konstatuar se muret e vrimës fillimisht janë të buta dhe të parregullta, përpara se të kalojnë në formacione shkëmbore më të forta. Një ekip kërkimor, pasi ankoroi një varkë mbi hapjen e saj, uli një kabllo 500 metra të gjatë në përpjekje për të arritur fundin – por pa sukses, pasi kablloja nuk ishte mjaftueshëm e gjatë.
Ekziston dyshimi se instrumentet mund të jenë devijuar nga rrymat nënujore, duke ndikuar në matje. Pavarësisht disa tentativave me kabllo të gjata, ende nuk ka një shifër përfundimtare për thellësinë reale të saj.
Për vite me radhë, vrima e kaltër Sansha Yongle në Detin e Kinës Jugore është konsideruar si më e thella në oqean. Nëse matjet e sakta të Taam ja’ konfirmohen, ajo mund ta zëvendësojë Sansha Yongle si gropa më e thellë e matur ndonjëherë.
Studiuesit besojnë se nën sipërfaqe mund të shtrihet një rrjet i tërë shpellash dhe tunelesh, çka e bën edhe më të ndërlikuar procesin e matjes. Më herët këtë vit, nga fundi i gropës u nxor një bërthamë sedimentesh që krijoi një arkiv 5,700-vjeçar të stuhive. Analiza e shtresave tregoi se, gjatë rreth gjashtë mijëvjeçarëve të fundit, mesatarisht katër deri në 16 stuhi tropikale kanë kaluar mbi këtë zonë çdo 100 vjet.
Rreth 60 milje larg bregdetit të qytetit të Belizes ndodhet edhe Vrima e Madhe e Kaltër, pjesë e sistemit të Koraleve të Belizes, e përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Ky formacion u krijua në fund të Epokës së fundit të Akullnajave, kur rritja e nivelit të detit përmbyti një seri shpellash gjigante.
Shpellat mendohet të jenë formuar rreth 153 mijë vjet më parë dhe të jenë zhytur plotësisht rreth 15 mijë vjet më parë. Sot, zona është habitat i disa llojeve peshkaqenësh, përfshirë peshkaqenët e shkëmbinjve të Karaibeve, peshkaqenët kokë-çekiç, peshkaqenët dem dhe ata me majë të zezë.









