Rritja e çmimeve të derivateve të naftës në tregun vendor ka vënë në lëvizje institucionet përgjegjëse. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se po e ndjek nga afër situatën dhe po monitoron me vigjilencë të shtuar veprimet e operatorëve ekonomikë që merren me tregtimin e derivateve.
Sipas njoftimit, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka intensifikuar kontrollet në të gjithë territorin e Kosovës, duke zhvilluar inspektime të përditshme dhe të vazhdueshme në terren me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve.
Duke qenë se Kosova është vend importues i derivateve të naftës, lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare reflektohen drejtpërdrejt edhe në tregun vendor. Megjithatë, këto ndryshime duhet të jenë në përputhje me standardet e përcaktuara sipas Ligjit nr. 08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme.
Autoritetet bëjnë të ditur se mbikëqyrja intensive do të vazhdojë edhe në ditët në vijim përmes kontrolleve në terren.
Në rast se konstatohet luhatje e menjëhershme dhe e pajustifikuar e çmimeve në pikat e shitjes së derivateve, Ministria do të shqyrtojë mundësinë e nxjerrjes së një vendimi për rregullimin e çmimeve dhe vendosjen e masave të tjera mbrojtëse për produktet e naftës. Këto masa parashohin edhe mbikëqyrje të shtuar nga Dogana e Kosovës, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut dhe Administrata Tatimore e Kosovës.
MINTI thekson se mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së konsumatorit, rritjes së transparencës, garantimit të konkurrencës së ndershme dhe parandalimit të çrregullimeve në treg.









