Me konfirmimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për 28 dhjetor, hyn automatikisht në fuqi mekanizmi ligjor që garanton vazhdimin e financimit të sektorit publik edhe në fillim të vitit të ardhshëm.
Kjo nënkupton zbatimin e nenit 24 të Ligjit për menaxhimin e financave publike, i cili parasheh zgjatje buxhetore për dy muaj në rast se vendi shkon në zgjedhje më pak se katër muaj para 1 janarit.
Sipas këtij ligji, organizatat buxhetore mund të llogarisin 16.67 për qind të ndarjes së buxhetit të miratuar më herët, duke siguruar pagesat bazë për dy muajt e parë të vitit të ri fiskal.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e caktoi 28 dhjetorin si datë të zgjedhjeve pas dështimit dy herë radhazi të deputetëve për të zgjedhur një Qeveri të re. Ajo tregoi se, pavarësisht konsultimeve me partitë politike, nuk u arrit pajtim për të mbajtur një seancë ku do të mund të miratoheshin zgjatjet buxhetore, disa marrëveshje ndërkombëtare dhe buxhetet komunale të Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut, si edhe buxheti i RTK-së.
Kosova po hyn në vitin 2026 pa një buxhet të miratuar, edhe pse Qeveria në detyrë e ka proceduar projektligjin për buxhetin. Opozita e kishte kundërshtuar këtë veprim, duke argumentuar se një qeveri në detyrë nuk mund ta dërgojë projektligjin në një legjislaturë të re.
Osmani ka paralajmëruar më herët se mungesa e buxhetit apo e një vendimi për zgjatje buxhetore do të rrezikonte pagat e administratës publike dhe funksionimin bazë të shtetit. Ajo kishte deklaruar se do të ishte e gatshme të dërgonte një propozim për zgjatje buxhetore që të sigurohej financimi deri në mars.
Ndërkohë, ekonomistët kanë ngritur shqetësime serioze, duke paralajmëruar se vendi po i afrohet një situate ku shteti mund të mbetet pa kapacitet për të paguar shërbimet elementare, duke rezultuar në një kolaps buxhetor të paprecedent. /Gjurmuesi/









